Partneritet për Zhvillim: PPP-ja nxit Inovacionin në Shërbimet Laboratorike në Shqipëri

Për vite me radhë, Maksim Byku i ka bere rregullisht analizat në laboratorin mjekësor shtetëror në Elbasan, për të monitoruar shëndetin e tij nëpërmjet analizave të ndryshme mjekësore. Atij i është dashur të përballej me sfida të shumta: kohë të gjata pritjeje, tarifa të larta dhe kërkesa të shpeshta të laboratorit për përsëritjen e analizave për shkak të rezultateve jo bindëse ose të pasakta.
“Kur bënim analizat laboratorike në spital vite më parë, hasnim vështirësi, radhë të gjata dhe kohë të gjata pritjeje për analizat e gjakut,” kujton Byku.

Maksim Byku viziton rregullisht laboratorin shëndetësor në Elbasan për analiza laboratorike. Foto nga Adnan Beci/IFC.
Maksim Byku viziton rregullisht laboratorin shëndetësor në Elbasan për analiza laboratorike. Foto nga Adnan Beci/IFC.
Byku nuk është i vetëm në rrugëtimin e tij. Për dekada me radhë, sistemit shëndetësor në Shqipëri i është dashur të punonte me struktura laboratorike të papërshtatshme që nuk arrinin të siguronin kujdes shëndetësor cilësor. Reagentët kryesorë për kryerjen e analizave shpesh mungonin, kështu që shumë pacientëve u është dashur të shkonin në laboratorë privatë të kushtueshëm. Megjithatë, edhe atje, rezultatet në shumë raste nuk përputheshin, pasi vetëm një laborator privat përmbushte standardet ndërkombëtare. Këta faktorë rritën kostot e kujdesit shëndetësor në vend. Përpara vitit 2019, shpenzimet nga buxheti familjar për shëndetësinë në Shqipëri ishin ndër më të lartat në rajonin e Ballkanit, rreth 55% të buxhetit për sektorin e shëndetësisë.


Partneriteti Publik-Privat Rrit Aksesin në Kujdesin Shëndetësor
Më pas erdhi ndryshimi. U krijua Partneriteti Publik-Privat (PPP), në të cilin Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë bashkëpunoi me IFC-në për të sjellë një kompani private të kujdesit shëndetësor për të ofruar pajisje laboratorike më të fundit. Ky projekt u mundësua me kontributin financiar të qeverisë së Austrisë, Zvicrës (SECO) dhe Hungarisë (Eximbank). Kjo nismë u shtri në 18 spitale në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë pesë spitalet universitare dhe 13 spitalet rajonale.
Konsorciumi i kompanisë shqiptare Labopharma dhe kompanisë franceze Exalab siguroi një kontratë 10-vjeçare në vitin 2019 për financimin, rinovimin, pajisjen dhe funksionimin e rrjetit të laboratorëve publikë. Ky partneritet ka ndihmuar laboratorët të ofrojnë shërbime të klasit të parë në kohën e duhur bazuar në standarde ndërkombëtare.
Projekti u përgatit me qëllim përmirësimin e një prej sektorëve më të rëndësishëm të shërbimit publik, atë të shërbimit laboratorik, i kombinuar me efektivitetin dhe inovacionin e sektorit privat, për të siguruar shërbime diagnostikuese mjekësore të qëndrueshme dhe të sakta në të gjithë vendin. Përgatitja ishte strategjike dhe metodike. Së pari, Shërbimet Këshillimore PPP të IFC-së shqyrtuan sistemin shëndetësor të vendit për të përcaktuar nëse një PPP ishte një zgjidhje e mirë dhe e përshtatshme. Më pas, ekipi kreu një analizë teknike të detajuar për të vlerësuar kërkesën e vendit për shërbime laboratorike mjekësore. Ata vlerësuan gjithashtu listën e objekteve dhe pajisjeve publike në dispozicion për shërbime të reja, si dhe gamën e shërbimeve që mund të integrohen në kuadrin e një PPP-je.
Shërbimi Laboratorik Pranë Shtëpisë
Midis viteve 2020 dhe 2023, në 4 vitet e para pas hyrjes në fuqi të PPP-së, në Shqipëri u kryen më shumë se 12 milionë analiza mjekësore, duke futur mjete të reja diagnostikuese për sëmundjet e zemrës, mpiksjet e gjakut dhe infeksionet akute. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1.7 milionë pacientë morën falas shërbime laboratorike mjekësore kritike nëpërmjet sistemit shëndetësor publik.
Pacientët si Byku tani kanë akses në laboratorët publikë të pajisur me teknologji të fundit, pavarësisht se ku ndodhen. Një laborator publik qëndror në kryeqytet, Tiranë, trajton rastet e referuara nga laboratorë të tjerë dhe ofron analiza laboratorike urgjente dhe të specializuara që lidhen ndër të tjera edhe me tumoret, hormonet dhe gjenetikën. Gjashtë laboratorë rajonalë, ndërkohë, kryejnë një sërë analizash, dhe në spitalet e tjera operojnë laboratorë satelitorë për të kryer analiza laboratorike të shpejta.
Ky sistem i ri ka eliminuar nevojën që disa pacientë të udhëtojnë drejt Tiranës, kryeqytetit, për analiza të specializuara. Analizat rutinë dhe kampionet e mbledhur brenda spitaleve të rretheve transportohen në mënyrë të sigurt në laboratorin më të afërt rajonal ose qëndror, në varësi të llojit të analizës, dhe rezultatet merren në mënyrë transparente dhe efikase.
"Për pesë vjet, jam trajtuar për një sëmundje shumë të rëndë", thotë Merita Gjuza. "Mund të them se jam vërtet shumë e kënaqur me ndryshimet në shërbimet e laboratorit dhe mënyrën se si na trajtojnë. Shërbimi është shumë më i mirë se më parë, është më i saktë. Sot shkoj në Tiranë vetëm për t’u vizituar tek mjeku specialist dhe për të marrë rekomandimin e tij, pjesa tjetër bëhet këtu në Elbasan."

Pacientja Merita Gjuza vlerëson përmirësimin e shërbimeve laboratorike në Elbasan, e cila i jep mundësi asaj të mos ketë nevojë të udhëtojë në Tiranë për analiza laboratorike. Foto nga Adnan Beci/IFC.
Pacientja Merita Gjuza vlerëson përmirësimin e shërbimeve laboratorike në Elbasan, e cila i jep mundësi asaj të mos ketë nevojë të udhëtojë në Tiranë për analiza laboratorike. Foto nga Adnan Beci/IFC.
Analizat laboratorike që mjekët rekomandojnë janë falas për pacientët e referuar, duke përfshirë edhe ata që nuk janë të siguruar, duke i mundësuar të gjithëve të kenë akses falas në shërbimet laboratorike në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, kontrata PPP është e bazuar në performancë kështu që konsorciumi duhet të përmbushë treguesit e performancës të përcaktuara qartë për shërbimet në kohë dhe cilësi, të tilla si koha maksimale e kthimit të përgjigjes, kontrollet ditore të cilësisë, dhe akreditimi i një liste të analizave laboratorike thelbësore. Si rezultat, pacientët kanë akses në shërbime laboratorike të përmirësuara përmes sistemit publik brenda buxhetit të caktuar nga qeveria.

Teknologjia e Fjalës së Fundit dhe Organizimi i Projektit
Ndikimi transformues i shërbimeve të përmirësuara laboratorike është shumë i rendësishëm, veçanërisht duke pasur parasysh se 60-70 përqind e të gjitha vendimeve të personelit mjekësor varen nga rezultatet e analizave laboratorike. Me shërbime laboratorike të besueshme tashmë të disponueshme, mjekët në Shqipëri mund të ofrojnë trajtime më efektive dhe të synuara të pacientëve, duke përmirësuar rezultatet e trajtimeve mjekësore dhe duke shpëtuar jetë.

Dr. Alma Cani
Drejtore e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Nënë Tereza

Dr. Arjan Haxhi
Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Infektive dhe Dermatologjisë, Qendra Spitalore Nënë Tereza

Dr. Ermira Kola
Shërbimi i Terapisë Intensive të Pediatrisë, Qendra Spitalore Nënë Tereza

Projekti ka përmirësuar identifikimin e sëmundjeve dhe infeksioneve tek fëmijët, thotë Dr. Ermira Kola, mjeke pediatre në Repartin e Kujdesit Intensiv të Spitalit Pediatrik, që është pjesë e Spitalit Universitar Nënë Tereza, “Kryerja në kohë e analizave laboratorike mjekësore është një nga faktorët më të rëndësishëm të diagnostikimit që ndikon në ecurinë e një fëmije në gjendje të rëndë. Izolimi i problemit në kohë dhe përshtatja e terapisë është shumë më lehtë për ne, tani që po aplikojmë protokollet bashkëkohore të analizave laboratorike mjekësore. ”

Sistemi i ri i diagnostikimit dhe sistemet e informacionit përmirësojnë identifikimin e sëmundjes tek fëmijët dhe eficiencën e analizave laboratorike në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Foto nga Adnan Beci/IFC
Sistemi i ri i diagnostikimit dhe sistemet e informacionit përmirësojnë identifikimin e sëmundjes tek fëmijët dhe eficiencën e analizave laboratorike në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Foto nga Adnan Beci/IFC
Dr. Arjan Harxhi, Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Infektive dhe Dermatologjisë në Spitalin Universitar Nënë Tereza është dakord. Ai pohon se “Investimi i ri në laboratorë me sisteme të reja diagnostikuese ka mundësuar një diagnostikim shumë të shpejtë të infeksioneve në gjak apo lëngje të tjera biologjike si në shtyllë kurrizore dhe tru.” Ai thotë se këto mjete të reja i lejojnë atij dhe kolegëve të tij të zhvillojnë opsione më të sakta trajtimi që parandalojnë përparimin e infeksioneve dhe sëmundjeve.
Një tjetër risi të rëndësishme që sjell projekti është zbatimi i sistemeve të reja të planifikimit të informacionit strategjik (SISP) dhe sistemeve të informacionit laboratorik (LIS) që sigurojnë që të gjitha spitalet të kenë të dhëna të plota dhe të sakta për analizat. Këto sisteme informacioni, duke përfshirë kontrolle rigoroze të sigurimit të cilësisë, kanë përmirësuar kohën e marrjes së rezultateve dhe kanë rritur kapacitetet e autoriteteve shëndetësore të Shqipërisë për të përpunuar dhe shkëmbyer informacionin në mënyrë efikase.
Për Dr. Alma Cani, Drejtore e Përgjithshme e Spitalit Universitar Nënë Tereza në Tiranë, struktura e re po u mundëson punonjësve të kujdesit shëndetësor të përballojnë vëllime më të mëdha analizash: “Ky projekt jo vetëm ka përmirësuar cilësinë e shërbimit që u ofrohet pacientëve, por ka lehtësuar ndjeshëm punën e stafit mjekesor. Gjatë kësaj periudhe përfundoi edhe integrimi i sistemeve SISP dhe LIS, me një ndikim mjaft pozitiv në ofrimin e një shërbimi më të mirë.”
Për të rritur ekspertizën klinike të profesionistëve mjekësorë, konsorciumi Labopharma-Exalab po zbaton një plan trajnimi gjithëpërfshirës për specialistët dhe teknikët e laboratorit. Ky trajnim, i kryer nga universiteti mjekësor, u mëson kursantëve se si të përdorin pajisjet e reja, si të përdorin sistemin e informacionit laboratorik dhe t’u përmbahen standardeve ndërkombëtare të laboratorit mjekësor dhe udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për biosigurinë.
Si rezultat, qendrat shëndetësore në Shqipëri përmbushin tashmë për herë të parë standardet e organizmave akreditues të njohur ndërkombëtarisht, duke rritur ndjeshëm besimin e pacientëve.

Ndikimi në Komunitet
Për Sabri Gurakuqin, një pacient nga qyteti i Elbasanit, suksesi i kësaj PPP-je shërben si një shembull i shkëlqyer i fuqisë transformuese të PPP-ve në shëndetësi: “Unë e respektoj plotësisht stafin që punon për Rrjetin e Laboratorëve, ata janë heronj. Unë jam një pacient prej kohësh dhe di gjëra nga më parë, kështu që mund të konfirmoj se pajisjet e rrjetit laboratorik janë shumë moderne, teknologjia është e fjalës së fundit, dhe numri i analizave është shumëfishuar në krahasim me numrin e analizave që bënim më parë.”

Sabri Gurakuqi rithekson që laboratori i Elbasanit është një projekt i suksesshëm, duke vlerësuar pajisjet moderne dhe stafin e përkushtuar.
Sabri Gurakuqi rithekson që laboratori i Elbasanit është një projekt i suksesshëm, duke vlerësuar pajisjet moderne dhe stafin e përkushtuar.
Ndërsa Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje më të mirë, ndikimi i kësaj PPP-je do të ndihet për brezat që do të vijnë. Dhe ndërsa vendet në mbarë botën përballen me sfida të ngjashme në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, modeli shqiptar ofron njohuri të vlefshme se si bashkëpunimi midis sektorit publik dhe privat mund të sjellë rezultate pozitive shëndetësore.
Publikuar në gusht 2024

